Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, tatimpaguesit kanë mundësi për të fiskalizuar faturat e tyre, përmes përdorimit të platformës së Administratës Tatimore, Self-Care ose implementimit të një zgjidhje softuerike nëse plotësojnë kushtet e mëposhtme:
1) Nuk janë subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar;
2) Kanë përgjegjësi tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël;
3) Nuk kanë më shumë se një vendndodhje të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit;
4) Kanë statusin ligjor “Person Fizik” dhe kategorinë e punësimit “I vetëpunësuar i vetëm”.
Sa i takon ecurisë së fiskalizimit në shifra për periudhën nga 1 janari 2021 deri më 27 qershor 2022, zyrtarisht raportohet se është realizuar me sukses fiskalizimi në masën 100% për biznesin e madh dhe të vogël me TVSH.
Tatimet theksojnë se pritet fiskalizimi i rreth 10% tatimpaguesve të biznesit të vogël pa TVSH, duke përjashtuar këtu tatimpaguesit që nuk ushtrojnë aktivitet, e megjithatë nuk mund të kalojnë në status pasiv, për shkak të detyrimeve të papaguara.