Dhjetëfishimi i gjobave për moslëshimin e faturave të furnizimeve të mallit apo dyfshimii i gjobave për mosdeklarim të punonjësve dhe fshehje të pagave me paketën e re fiskale jo vetëm që shkelin parimin e proporcionalitetit, por pritet të rrisin edhe korrupsionin nga tatimorët.
Këto shqetësime për ndryshimet në projektligjin “Për procedurat tatimore” ngrihen nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar të Shqipërisë. Për kontabilistët shumëfishimi i gjobave nuk përkon as me sistemin e fiskalizimit që nisi zbatimin prej gati 2 vitesh. Sipas tyre kjo konsiderohet një hap pas dhe interpretohet se sistemi i ri ka dështuar.
Kryetari i këshillit drejtues të IKM në letër me komentet për paketën fiskale që i është dërguar Komisionit të Ekonomisë dhe Financave sugjeron që këto penalitete të ndryshohen dhe të jenë proporcionale me dëmin e shkaktuar.
“Parashikimi e penaliteteve shumë të larta fikse jo konform parimit të proporcionalitetit të detyrimit të papaguar si rezultat i shkeljes, ndërkohë që sistemi i ri i fiskalizimit presupozon formalizimin e bizneseve, që do të thotë që dënime të tilla administrative nuk përkojnë me qëllimin e implementimit të këtij sistemi, të tilla si: gjobë prej 50,000 lekësh për tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të TAP nga biznesi apo vetëpunësimi; 100,000 lekë për tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të TAP me TVSH. Nëse malli ka vlerën 10,000 lekë atëherë do të paguhet një gjobë 75 herë më e lartë.
Gjobë prej 1,500,000 lekësh për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ për moslëshimin e faturave dhe të faturave shoqëruese. Këto sanksione do të sjellin rritje presioni ndaj biznesit, si dhe një mundësi shumë të lartë reale që të shfrytëzohen nga punonjësit e Administratës Tatimore për korrupsion.
Do të sugjeronim që këto penalitete të ndryshohen dhe të jenë proporcionale me demin e shkaktuar. Herën e parë të gjetjes së shkeljes të jetë jo më shumë se 100% e vlerës së detyrimit, kurse në rast përsëritje të jetë 100% ose 200% i shumës së tatimit të shmangur, si dhe masa të tjera që mund shkojnë deri në kallëzim penal, etj”, pohojnë në letrën e tyre anëtarët e IKM.
Paketa fiskale e vitit 2023 nuk sjell ndryshime thelbësore në ligjet e tatimeve përveçse i rrit se tepërmi penalitetet për disa kategori dhe veprime të bizneseve dhe unifikon akcizën për industrinë e birrës dhe pijeve alkoolike.
Një ndryshim në ligjin e procedurave tatimore synon dhjetëfishim të gjobave për mos- lëshimin e faturave për furnizim, pagesë apo pranim të mallrave apo shërbimeve në rastet e parashikuara në germën a, të pikës 3 të nenit 123 për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ. Sipas ndryshimeve të propozuara, “për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ ishte 150,000 lekë, bëhet 1,500,000 lekë.” Ndryshimet parashikojnë rritjen e penaliteteve për tatimpaguesit entitete për mosdeklarim të punonjësve dhe fshehje të pagës. Në legjislacionin aktual penaliteti është 100% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për të gjithë tatimpaguesit.
Në ndryshimet e reja bëhet 200 % të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për tatimpaguesit entitete juridike dhe 100 % të detyrimit dhe kontributit për të gjithë tatimpaguesit e tjerë. Sipas Ministrisë së Financave ky ndryshim vjen si rezultat i domosdoshmërisë për ashpërsimin e penaliteteve për këtë kategori shkeljesh dhe tatimpaguesish.
Komentet e IKM për projektligjin “Për procedurat tatimore”
1.Në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”, në Nenin 7, janë përcaktuar vlera shumë minimale për gjendjet ditore të mbajtjes së parasë cash (kartëmonedha dhe monedha) që ka grumbulluar gjatë ditës për furnizimin e mallrave apo të shërbimeve në arkën e biznesit, si p.sh. a. tatimpaguesit me qarkullim vjetor, gjatë vitit të kaluar, deri në 2 milionë lekë, deri në 55,000 lekë; b. tatimpaguesit me qarkullim vjetor, gjatë vitit të kaluar, mbi 2 milionë dhe deri në 10 milionë lekë, deri në 250,000 lekë c. tatimpaguesit me qarkullim vjetor, gjatë vitit të kaluar, mbi 10 milionë lekë, deri në 500,000 lekë ose 2 % të qarkullimit vjetor të vitit të kaluar, cilado qoftë vlera më e lartë.
2.Në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”, sipas përcaktimeve të Nenit 7, “Pas nenit 59, shtohet neni 59/1 dhe neni 59/2” nene të cilat kërkojnë që tatimpaguesi të depozitojë në llogarinë e tij bankare paratë (kartëmonedha dhe monedha), të cilat tejkalojnë nivelin maksimal të arkës, në përputhje me nenin 59/2, të këtij ligji, ditën e ardhshme të punës.”
Në mbështetje të mendimit se janë përcaktuar vlera shumë minimale për gjendjet ditore të mbajtjes së parasë cash (kartëmonedha dhe monedha) që ka grumbulluar gjatë ditës për furnizimin e mallrave apo të shërbimeve në arkën e biznesit, tatimpaguesi do të detyrohet të depozitojë tepricën e arkës në llogaritë bankare çdo ditë.
Kështu tatimpaguesi me xhiro deri në 2 milion lekë, i cili ka arkëtuar nga shitja gjatë ditës 55,100 lekë do të duhet që për shumën 100 lekë të shkojë në bankë të bëjë derdhjen dhe i duhet të paguaj 150 lekë komision për veprimin. Pasi në rast të kundërt do të përballohet me penalitetin për mos zbatim të ligjit. Po në rastin kur Tatimpaguesit i janë bllokuar llogaritë bankare, sipas përcaktimeve të këtij projektligji atij i kërkohet t’i derdhë paratë në llogaritë bankare, veprim i cili për të nuk është i mundur. Si do të mund të ushtrojë aktivitetin e vetë ky tatimpagues?
Këto ndryshime ligjore prekin ndjeshëm mikro njësitë, të cilat përbëjnë pjesën dërrmuese të bizneseve, dhe do të detyrojë përfaqësuesit e tyre, që në të shumtën e rasteve janë të vetëpunësuar të vetëm, që: i. Çdo ditë të mbajnë radhën në institucionet financiare për të depozituar shumën e parave përtej limitit të lejuar; ii. Shumë e cila mund t’i duhet ditën e nesërme për të përballuar dhe paguar me para në dorë shpenzimet ditore; iii. Për më tepër, këto para mund të përdoren për të mbajtur veten dhe familjen e tyre, pasi një e drejtë e tillë është e drejtë kushtetuese, por edhe e drejtë që buron nga ligje specifike, pasi të ardhurat e biznesit janë edhe të ardhura të personit fizik.
Gjithashtu, këto ndryshime ligjore ndikojnë te njësitë ekonomike të mëdha: i. Si është përcaktuar kufiri i gjendjes së arkës? Si është llogaritur dhe mbi çfarë kriteresh është përcaktuar se është kufiri i duhur? ii. Si veprohet në rastet kur njësia ekonomike ka disa pika shitje dhe secila prej tyre ka arkën përkatëse? Për efekt llogaritje të kufirit do të konsiderohet çdo arkë si e veçantë apo do të merret gjendja e arkave në total? iii. Rrjedhimisht do të ketë kosto shtesë për bizneset për të çuar çdo ditë paratë në institucionet financiare, duke shtuar kështu dhe kohën për të ndjekur në radhë; iv. Njësitë ekonomike do të kenë dhe riskun e shtuar, që gjatë lëvizjes të grabiten nga keqdashësit ose do të kenë kosto shtesë për të siguruar paratë gjatë transportit si dhe kosto shtesë për shoqëritë e sigurisë fizike.
3.Në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”, në Nenin 8, “ Detyrimi i palëve të treta për të dhënë informacion”, kërkohet nga palët e treta informacion specifik, periodik sipas udhëzimeve dhe kërkesave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Në mungesë të teknologjisë së përshtatshme, e cila do të mundësonte automatizimin e këtij procesi, ky i fundit do të jetë ngarkese për bizneset dhe presion për to. Shtrohet pyetja nga është marrë kjo përvojë?
4.Në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”, në Nenin 9, “Personat që u kërkohet të japin informacion” ndryshimet e propozuara i lejojnë Administratës Tatimore të kërkojë çfarëdo lloj informacioni nga kushdo duke shtuar kompetencat e kontrollit tatimor të bizneseve edhe në nivel qendror. a. Në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”, në Nenin 4, “Struktura e administratës tatimore qendrore”, pika 3, “ii”, “Menaxhimi i riskut, kontrolli i tatimpaguesve; kontabiliteti dhe statistika”, përcakton se tatimpaguesit do të jenë subjekt kontrolli nga DRT por edhe nga DPT. b. Drejtoria e Përgjithshme Tatimore ka për detyrë organizmin dhe menaxhimin e grumbullimit të tatimeve dhe taksave nga DRT dhe jo të bëjë vetë kontrolle. Këto ndryshim do të sjellin kontrolle të shpeshta, mbi kontrolle, të cilat janë pengesë për bizneset, kur ndërkaq është theksuar se kontrollet do të bëhen mbi bazë risku dhe do të ulen.
5.Në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”, në Nenin 19, “Struktura dhe funksionet e Drejtorisë së Verifikimit dhe Koordinimit në Terren”, krijohet sërish Drejtoria e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren e organizuar në nivel qendror dhe rajonal, duke nxitur sërish korrupsionin në terren, ndërkohë që me korrjen e suksesit të implementimit të sistemit te ri të fiskalizimit, pretendohej që edhe drejtoritë e kontrollit do të shkriheshin, pasi tatimpaguesit me risk të lartë mund të identifikoheshin lehtësisht më anë të këtij sistemi inovativ, pa pasur nevojën e identifikimit të evazionit fiskal në terren. A nuk do të ishte ky një hap pas, i cili do të interpretohej si një dështim i sistemit të Fiskalizimit?
6.Penalitetet – Penaliteti në masën 200 % të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për tatimpaguesit entitete juridike, që fshehin dhe nuk deklarojnë pagën e saktë të përfituar nga punëmarrësi është në kundërshtim me nenin 111 “Sanksionet”, pika 5 të ligjit aktual, ku shprehimisht citohet: “gjobat e vendosura për shkelje administrative, që lidhen me një detyrim tatimor, nuk mund të kalojnë 100 % të detyrimit tatimor”. Penalitetet duhet të jenë proporcionale me demin e shkaktuar dhe vetëm në rast përsëritje mund të jenë më të larta, dyfish.
7.Në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”, në Nenin 20, i cili ndryshon nenin 112 të ligjit aktual “Mungesa e ekzekutimit të detyrimit për regjistrim”, nuk mund të vendosen sanksione për të njëjtën shkelje nga dy struktura njëkohësisht.
8.Në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”, në Nenin 11, parashikohen ndryshimet në nenin 71/2 “Përdorimi i metodave alternative të vlerësimit në rastet e veprimeve për shmangien e tatimit dhe abuzimit me parimet e ligjit tatimor” të cilat përmbajnë në vetvete shumë subjektivizëm. Mjafton t’i referohemi pikës 3, “a”, “karakterizimi ligjor i hapave individuale, nga e cila përbëhet një marrëveshje, nuk është në përputhje me substancën ligjore të marrëveshjes në tërësi”, përkufizim i cili është subjektiv dhe ka risk të lartë të keqpërdoret.
9.Në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”, në Nenin 22, kemi ndryshimin e Nenit 114/1 “Mospagimi i kësteve të tatimit mbi fitimin korporativ dhe mbi te ardhurat personale”. Cilat janë këstet për tatimin mbi të ardhurat personale? Ligji aktual nuk ka këste për tatimin mbi të ardhurat personale. Gjithashtu, ligji aktual i Tatimit mbi fitimin nuk ka termat “Tatim korporativ” dhe as “entitete”.
10.Në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”, në Nenin 23, kemi ndryshimin e Nenit 118, “Mosmbajtja e saktë e librave, regjistrave dhe dokumentacioni” ndryshim i cili sanksionon tatimpaguesin me gjobë 10 mijë lekë dhe 50 mijë lekë për çdo rast. Në situata të tilla ose kemi të bëjmë me evazion ose mosmbajta e saktë duhet të ketë vetëm një gjobë. Nuk mund të ketë dy gjoba për të njëjtën shkelje.
11.Në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”, në Nenin 24, kemi ndryshimin e Nenit 119, “Mosdeklarimi i punonjësve dhe fshehja e pagave”, gjobat për mosdeklarim të saktë nuk duhet të diferencohen nëse janë subjekte juridikë apo individë me të punësuar, duhet të jenë njëlloj të unifikuara dhe të paguhet për demin e shkaktuar ne masën 50% kur nuk është e përsëritur dhe maksimumi në masën 100% kur është e përsëritur.
12.Në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”, në Nenin 27, kemi ndryshimin e Nenit 124, gjobat për shkeljet e procedurës së fiskalizimit nga 25,000 lekë deri në 75,000 lekë, kur sistemi i fiskalizimit nuk funksionon ende duket se janë një kujdes i tepruar i Ligjvënësit.
13.Në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”, në Nenin 28, kemi ndryshimin e Nenit 127, “Pengimi i kontrollit dhe hetimit tatimor”, shtohet fjala “pengimi tërthorazi”, term i cili është tepër subjektiv. \
Si do të përcaktohet se kur kemi të bëjmë me një pengesë tërthorazi? Ky ligj përdor një sërë termash, të nuk janë në ligjin aktual për procedurat dhe as në atë për Tatimin mbi të ardhurat (p.sh. tatim korporativ, entitet, etj.), kur në ligjin për Tregtarët dhe shoqëritë tregtare, nuk njihen forma të organizmit si korporata, dhe as nuk përdoret termi entitete.
Po ashtu këto terma janë në kundërshtim dhe me terminologjinë tashmë të miratuar prej shumë vitesh te ligji “Për kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare” si dhe në Standardet Kombëtare të Kontabilitetit dhe Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, si dhe në ligjin “Për Auditimin ligjor, organizimin e profesionit të Audituesit ligjor dhe të Kontabilistit të Miratuar”. /D.Azo
Burimi : Revista Monitor