AA Audit & FinanceAA Audit & FinanceAA Audit & Finance
+355 69 394 7892
9am - 5pm
Durres

Bizneset tremben se amnistia do të godasë konkurrencën

Shoqatat e biznesit ngrenë shqetësimin se zbatimi i amnistisë fiskale do të dëmtonte konkurrencën për sipërmarrësit e ndershëm. Sipas përfaqësuesve të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, amnistia do të vinte në kushte të pabarabarta prodhuesit, duke rrezikuar falimentimin e ekzistuesve. Bizneset shprehën skepticizmin edhe për nxitjen e formalizimin e ekonomisë. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë rekomandon që drafti të jetë i mirëstudiuar dhe zbatimi të shoqërohet me ndryshime në legjislacion fiskal dhe tatimor

 

Prezantimi pas dy vitesh i draftit të amnistisë fiskale rikthen shqetësimin e prodhuesve për humbjen e konkurrueshmërisë dhe mosnxitjen e formalizimit të ekonomisë.

Nisma e prezantuar fillimisht në vitin 2020 u kritikua nga institucionet ndërkombëtare, pasi krijonte hapësira për depërtimin e parasë informale. Në qershor 2022, qeveria prezantoi te konsultimet publike, projektligjin e rishikuar “Për amnistinë fiskale dhe penale të subjekteve që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive”, i cili lejon deklarimin vullnetar të një pasurie të paregjistruar më parë, deri me vlerë 2 milionë euro, kundrejt tatimit nga 7 deri në 10%.

Edhe pse ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, do të deklaronte se drafti i ri nuk lejon legalizimin e çdo burimi të ardhurash, përfaqësues të disa shoqatave dhe dhomave të biznesit ngrenë shqetësimin, duke thënë se ajo dëmton konkurrueshmërinë dhe rrit informalitetin.

Ilda Baraj, kryetarja e bordit të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, pohoi për “Monitor” se, nëse do të investoheshin te sektorët prodhues, ndërtimi apo tregtia e mallrave ushqimore, paratë e legalizuara nga amnistia do të dëmtojnë konkurrencën dhe rrezikojnë mbylljen e bizneseve të konsoliduara.

“Përfshirja e parave të legalizuara nga amnistia në industrinë prodhuese dhe atë të ndërtimit do të dëmtonin konkurrencën, madje do të çonin edhe në daljen nga tregu të fabrikave të tjera. Bizneset janë të vetëdijshme për origjinën e parave që do të legalizohen. Nëse ato të përdoren për ngritjen e bizneseve apo fabrikave të reja te sektorët prodhues do të dëmtonin konkurrencën e sipërmarrjeve ekzistuese, që prej vitesh paguajnë rregullisht taksat dhe detyrimet.

Për shembull, nëse këto të ardhura të legjitimuara kundrejt taksës 5 apo 7% do të investohen në ngritjen e rrjeteve të reja të supermarketeve, sigurisht që do të ofrojnë produkte me çmime më të lira, ndërsa bizneset ekzistuese nuk mund të ulin çmimet, pasi kanë shpenzimet e taksave dhe kostot e shtuara nga shtrenjtimi i lëndëve të para. Nëse këto supermarkete do të konkurrojnë me çmime deri në 10% më të lira, bizneset e tjera ekzistuese do të dilnin jashtë loje.

E njëjta situatë do të ndodhte edhe për sektorin e ndërtimit. Për shkak të çmimeve të larta të materialeve të ndërtimit dhe sipërfaqes që i jepet pronarit të truallit, që për kryeqytetin është deri në 50%, kostoja e ndërtimit për disa zona nuk ulet nën 1,300 euro për metër katror. Ai individ që do të vijë të investojë me paratë ca në bankë e ca në çantë, do të ofrojë çmime më të ulëta.

Shteti është në partneritet me bizneset që janë kontributorë në arkëtimin e të ardhurave buxhetore. Në këtë situatë, zbatimi i amnistisë duhet të jetë e kontrolluar. Duhet të kontrollohet edhe efekti kriminal.

Amnistia duhet të emetohet te sektorë që nuk e deformojnë tregun dhe konkurrencën, ku kthimi i investimit kërkon afat më të gjatë, siç është hoteleria dhe turizmi, apo në sektorë të tjerë që kanë nevojë të zhvillohen, siç është blegtoria, peshkimi etj. Mund të ndiqet modeli i Italisë, që zbaton amnistinë te sektori i turizmit. Në sektorë të konsoliduar, si tatimpagues të rregullt prej 30 vitesh, zbatimi i saj do të dëmtojë konkurrencën”.

Edhe drejtuesi i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi, ngre shqetësimin se zbatimi i amnistisë do të dëmtonte konkurrencën te prodhuesit e ndershëm.

“Duke analizuar kategoritë përfshirëse në amnistinë fiskale dhe efektet e zbatimit të saj, nisma rezulton të jetë tullumbace. Së pari, për legalizimin e të ardhurave të emigrantëve. Nuk di të ketë emigrant që bën punë të ndershme dhe zotëron kursime më shumë se 100 mijë euro.

Nuk njoh asnjë emigrant që ato 30, 40 apo 50 mijë euro kursime që zotëron, të jetë në hall në këto 30 vjet, për t’i sjellë në Shqipëri apo për të investuar në blerjen e një shtëpie. Për këtë kategori kjo nuk është problem dhe duhen përjashtuar.

Së dyti, te bizneset e mirëfillta prodhuese, edhe nëse dikush ka vepruar në informalitet apo ka kryer evazion, nuk mund të ketë 2 milionë euro para të painvestuara. Bizneset informale nuk i kanë gjendje këto para, sepse i kanë hedhur në kapitale, i kanë qarkulluar. Edhe kjo kategori mendoj se përjashtohet nga amnistia.

Ata që deklarojnë 2 milionë euro do të duhen të shihen në këndvështrimin e pastrimit të parave. Asnjë biznes i ndershëm që ka paguar rregullisht taksat, nuk do të ndihej mirë nëse dikush që ka 2 milionë euro do të investonte në ngritjen e një fabrike. Kjo mund të shkatërronte biznesin e ndershëm”, pohoi ai.

Kryetari i Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë Tiranë, Nikolin Jaka, shton se një pjesë e bizneseve të vogla mund të preken në periudhë afatshkurtër lidhur me hapjen e bizneseve të ngjashme rreth vendndodhjes së tyre, por sipas tij, gjithashtu hapja e startup-eve në vetvete rrit konkurrencën në treg, duke konsoliduar ato ekzistuese që të jenë më inovative, kreative dhe eficiente.

“Bazuar në një studim të Universitetit Harward “How Competition Strengthens Start-Ups”, argumentohet se startup-et kanë një shans më të lartë të mbijetesës në periudhë afatgjatë nëse përballen me një konkurrencë rigoroze gjatë viteve të para të biznesit”, thekson Jaka.

 

Konkurrenca e padrejtë
Përfshirja e parave të legalizuara nga amnistia në industrinë prodhuese dhe atë të ndërtimit do të dëmtonin konkurrencën, madje do të çonin edhe në daljen nga tregu të fabrikave të tjera. Për shembull, nëse këto të ardhura të legjitimuara kundrejt taksës 5 apo 7% do të investohen në ngritjen e rrjeteve të reja të supermarketeve, sigurisht që do të ofrojnë produkte me çmime më të lira, ndërsa bizneset ekzistuese nuk mund të ulin çmimet, pasi kanë shpenzimet e taksave dhe kostot e shtuara nga shtrenjtimi i lëndëve të para. Nëse këto supermarkete do të konkurrojnë me çmime deri në 10% më të lira, bizneset e tjera ekzistuese do të dilnin jashtë loje.

 

A e garanton amnistia fiskale ndalimin e informalitetit?

Drejtues të shoqatave të biznesit ngrenë edhe shqetësimin për mosnxitjen e formalizimit të ekonomisë nga zbatimi i amnistisë.

Kryetari i Qendrës së Eksporteve, Alban Zusi, nuk është optimist që nisma stimulon formalizimin e ekonomisë, pasi biznesi informal që dëmton konkurrencën, edhe pas amnistisë, pritet të mos përfshihet në ligjshmëri.

“Nëse amnistinë e bëjmë për të ndershmit që sistemi i ka detyruar të punojnë në rrugë të pandershme, kjo kategori nuk e ka kërkuar amnistinë. Nuk e kanë problem ku t’i çojë të ardhurat. Konkurrenca e pandershme nuk është ndalur, sistemi vijon të jetë i deformuar. Për këtë kategori, edhe pas zbatimit të amnistisë, nuk garantohet ndalimi i informalitetit”.

Pas një analize të draftligjit për amnistinë fiskale, duke marrë në konsideratë kontekstin dhe stadin e zhvillimit të ekonomisë, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, nënvizon se nisma është mjet i vlefshëm për zvogëlimin e përmasave të ekonomisë informale, nëse përdoret si pjesë e një programi gjithëpërfshirës të reformës tatimore dhe rritjes së efektivitetit të mbledhjes së të ardhurave.

“Ne kemi më shumë se tre dekada në Shqipëri që diskutojmë për amnisti fiskale, ose kemi bërë thjesht në disa raste falje fiskale, kryesisht përpara fushatave elektorale, pra e kemi përdorur amnistinë politikisht. Asnjëherë nuk kemi bërë një amnisti fiskale në kuptimin e gjerë dhe të mirëfilltë të saj, të paktën sipas shembujve të shumë vendeve të përfshirë, si Italia, Franca, Gjermania apo edhe vende të tjera që kanë bërë amnisti fiskale në shkallë të gjerë.

Ne gjykojmë se kjo amnisti fiskale do të sjellë përfitime të shumta, sidomos në gjendjen aktuale ku ekonomia shqiptare po merr goditjen e tretë në tre vitet e fundit, me tërmetin, pandeminë dhe krizën ekonomike, si pasojë e konfliktit në Ukrainë.

Me adoptimin e kësaj amnistie, shpresojmë të pasohet me një influks monetar në vlera relativisht të larta, që duhet të japin efekte të shpejta dhe të drejtpërdrejta në rimëkëmbjen ekonomike dhe stabilizimit te sistemit fiskal. Të ardhurat e shtuara do të shkojnë drejt rigjallërimit të ekonomisë me hapjen e bizneseve të reja, konsolidimin e atyre ekzistues, si dhe drejt investimeve publike.

Mendoj se një përfitim tjetër i zbatimit të kësaj nisme ligjore dhe me ndikim të drejtpërdrejtë, se do të ndikojë në uljen e trendit të emigrimit drejt vendeve të BE-së.

Për sa i përket shqetësimit për cenimin e parimeve të barazisë dhe konkurrencës, të cilat janë sfida dhe që artikulohen gjerë nga palët e interesit, skeptike të amnistisë, besojmë që nuk do të ndikojë negativisht në këtë drejtim dhe nuk mendojmë se është e rëndësishme në kontekstin e Shqipërisë për arsye se aktualisht, ekonomia shqiptare operon në një masë të vlerësuar deri në 50% në formë informale dhe se amnistia thjesht do të ligjërojë këtë pjesë të ekonomisë, pa cenuar konkurrencën.

Amnistia do të ulë rrezikun e përqendrimit të ekonomisë në pak duar, do të rrisë konkurrencën e lirë dhe do të nxisë sipërmarrjet që nuk kanë lidhje me pushtetin. Për të shmangur një nga efektet kryesore negative të amnistisë fiskale, që sot me të drejtë ngrihet nga tatimpaguesit e rregullt të dekurajuar se mund të ketë edhe amnisti të tjera në vijim, qeveria duhet të japë një mesazh të qartë që ky është një ‘one time event’ dhe nuk do të ketë përsëritje në të ardhmen”.

Jaka thotë se për të zbutur efektet e informalitetit është e domosdoshme që amnistia të shoqërohet edhe me përmirësime në legjislacionet fiskale dhe tatimore.

“Asnjëherë, një amnisti fiskale nuk duhet të lihet përgjysmë, në sensin vetëm për të bërë gjithë këto lehtësi ligjore për pastrimin e parave dhe futjen në qarkullim ekonomik të këtyre parave të natyrave informale.

Ne presim që kjo amnisti, paralelisht të shoqërohet me një paketë të përmirësimeve fiskale, tatimore dhe përgjithësisht të gjithë legjislacionit, përfshirë këtu edhe legjislacionin penal, financiar dhe ekonomik, që të nesërmen e zbatimit të amnistisë fiskale, fenomenet e informalitetit, evazionit, paratë e pista etj., duhet të jenë të mbyllura njëherë e përgjithmonë.

Në vlerësimin tonë, një amnisti fiskale do të jetë efektive vetëm nëse shoqërohet me reforma të thella në ekonomi, me politika nxitëse në përmirësimin e vazhdueshëm të klimës së biznesit dhe të investimeve, kur ka rezultate konkrete në zbatimin e reformës në drejtësi, të reformës fiskale dhe sistemit bankar. Nëse kjo amnisti nuk zbatohet si e tillë, ajo mund të kthehet në bumerang në rritjen e informalitetit dhe të dekurajojë taksapaguesit e ndershëm”.

 

Rënia e euros, bizneset e eksportit drejt falimentimit

Shtimi i pranisë në treg të Euros nga amnistia do të falimentonte bizneset eksportuese. Shqetësimi ngrihet nga drejtuesi i Qendrës së Eksporteve, Alban Zusi, që parashikon rënie të mëtejshme të euros nga zbatimi i amnistisë.

“Nëse do të legalizonim shuma të mëdha euro nga të burime që nuk e dimë se nga vijnë, që vetëm para të ndershme nuk janë, brenda 6 muajve eksportet do të gjunjëzohen.

Po sjell një shembull. Nëse një biznes i mesëm eksportues, që bën 200 mijë euro eksporte në muaj, nga zhvlerësimi i euros nga muaji qershor e deri tani, ka humbur 1,2 milionë lekë në muaj. Si mundet kjo ndërmarrje eksportuese të përballojë rritjen e çmimit të gazit, të naftës, pagave, rënien e konsumit dhe ponderimin e rënies së euros?”.

 

Kontabilistët: Amnistia nuk i shërben biznesit

Për kontabilistët dhe konsulentët fiskalë, zbatimi i amnistisë fiskale, duke marrë shumën prej 2 milionë eurosh që lejon të legalizojë, nuk u shërben bizneseve, as emigrantëve.

Në kahun tjetër, për ekspertët, frika e nxjerrjes së përgjegjësisë për burimin e të ardhurave do të frenojë këto kategori të përfshihen në zbatimin e nismës. Për këto arsye, ata hedhin dyshimin se amnistia fiskale do të shërbejë vetëm për legalizimin e parave të korrupsionit.

“Në bazë të projektligjit, pasuria që lejohet të deklarohet vullnetarisht është 2 milionë euro. Nisur nga kjo shumë, më bën ta paragjykoj ligjin. E para, përse vlera jepet në euro? Kur çdo ligj shqiptar bëhet dhe jepet në monedhën vendase. E dyta, shuma më duket shumë e lartë.

Nëse një biznesi i kërkohet të vetëkorrigjohet (të bëjë deklarim vullnetar të tregueseve të bilancit për të paraqitur vlerën reale të tyre në vlerën deri në 2 milionë euro) më bën të mendoj se ka diçka që nuk shkon me sistemin.

Është e kuptueshme për një nivel të caktuar vlere do t’u jepte frymëmarrje bizneseve me ato “llogaritë e ortakut” në të shumtat e rasteve fiktive, por 2 milionë euro janë shumë.

Nëse një biznes ka arritur të fshehë vlera të tilla, atëherë na bën të mendojmë lirisht që institucionet përgjegjëse kanë dështuar. Si mund të amnistosh një biznes apo individ të vetëdeklarojë shifra të tilla dhe pa nxjerrë para përgjegjësisë asnjë institucion që duhej të kontrollonte këtë individ, apo biznes?

Në komunitetin e biznesit, kur dëgjohet fjala amnisti, mendja të shkon në një amnisti gjithëpërfshirëse dhe do të çlirohen nga disa gjoba të marra ndër vite, por ky nuk është rasti. Kjo më tepër duket një amnisti e niveleve të larta, një amnisti VIP sesa rëndom e biznesit apo individëve me të ardhura të zakonshme”, pohon në anonimat një kontabilist.

Edhe konsulenti fiskal, Artur Papajani, në një analizë që i bën amnistisë fiskale në rrjetin profesional “LinkedIn” rendiste arsyet pse emigrantët apo individë me të shkuar kriminale do të kërkojnë të përjashtohen nga legalizimi i të ardhurave.

“Një analizë bëhet duke e ndarë të tërën në pjesë dhe pjesëza. Grupi jashtë Shqipërisë:

A – Emigrantët me të ardhura të deklaruara në shtetin ku janë rezidentë. Nuk kanë pse të bëhen pjesë e amnistisë. Të jenë të qetë. Sa të lexojnë ligjin, më mirë një novelë a roman.

B – Emigrantët me të ardhura nga punësimet informale. Rrezikohen nga një “sulm” i taksidarëve, në shtetin ku janë rezidentë. Një mik, taksidar, në një shtet të BE, më thotë “gjah i mirë” që na e sjell e drejta e informimit.

C – Të tjerë shtetas shqiptarë, jo rezidentë në Shqipëri. Këtu bëjnë pjesë dhe “çunat”. Rrezikohen përsëri nga e drejta e informimit. Këta përveç ekspertit fiskal, të gjejnë dhe një avokat të mirë.

Dy grupet e fundit, të mendojnë dhe për gjetjen e “nënkontraktorëve” të transportit fizik (CASH) të cilët gjithashtu të gjejnë një avokat, nga ana e tyre. Grupet në Shqipëri…S’po i ndajmë në pjesë. Për këto qenka dynjaja. Të lindur me këmishë…”.

Si përfitojnë bizneset nga rivlerësimi i pasqyrave financiare

Nëse amnistia do të zbatohet, do të përfitojnë edhe bizneset që kanë bërë evazion apo kanë fshehur të ardhurat, pasi u jepet mundësi të bëjnë deklarimin real të pasqyrave financiare.

Kontabilisti Sotiraq Dhamo, duke analizuar nenet e amnistisë, tha se përveç pasurive të luajtshme, apo të paluajtshme të deklaruara, bizneset mund të deklarojnë edhe elemente të pasqyrave financiare që nuk i kanë deklaruar më parë ose që i kanë deklaruar në një vlerë më të vogël, pavarësisht faktit nëse pasuritë ndodhen ose jo në Shqipëri.

Përfituesit, sipas Dhamos, janë individët shtetas shqiptarë pavarësisht se ku janë rezidentë brenda apo jashtë Shqipërisë, bizneset, persona juridikë apo fizikë rezidentë në Shqipëri dhe individët e huaj rezidentë tatimorë në Shqipëri.

“Sipërmarrjet janë të interesuara, sepse përfitojnë, si biznese amnisti për pasuritë e biznesit (të paluajtshme apo të luajtshme) që nuk i kanë deklaruar në pasqyrat e tyre financiare, (si: shumat e të ardhurave, klientët, furnitorët, huatë, fitimin, pasuritë e paluajtshme apo të luajtshme, si aktive afatgjata, etj. Për të ardhurat dhe fitimet e padeklaruara (nga evazioni që kanë bërë më parë).

Si pronarë të bizneseve, si individë, sepse mund të deklarojnë të ardhura të marra nga burime të ndryshme e të padeklaruara në kohë. Të formalizojnë edhe ato hua apo financimet që i kanë dhënë shoqërive (normalisht nga shitjet e padeklaruara) dhe të kenë mundësinë t’i përdorin si të duan”.

Bizneset tatimpaguese, sipas këtij projektligji, mund të rideklarojnë elemente të veçantë të aktiveve, detyrimeve apo kapitaleve të veta të pasqyrave financiare të shoqërisë.

“Diferencat e rezultuara që mund të kenë efekt a) në të ardhurat apo b) në kapital do të konsiderohen të ardhura të tatueshme me tarifën e këtij ligji (5% apo 7%, 8%).

Këto diferenca pastaj nuk do të jenë të tatueshme, si të ardhura apo si shpenzime të zbritshme, kur të ndërtohen pasqyrat financiare nga këto subjekte.

Pra tatohen vetëm kur deklarohen dhe pastaj nuk janë më të tatueshme. P.sh nëse nga rivlerësimi i një ndërtese rezulton një rritje vlere prej 1 milion lekësh, shoqëria deklaruese do të paguajë 7% të kësaj vlere. Pastaj në të ardhmen për këtë diferencë amortizimi nuk do të jetë shpenzim i zbritshëm dhe të ardhurat e rimarra nuk do të jenë të tatueshme për tatim mbi fitimin.

Nëse detyrimet e shoqërisë ndaj ortakëve të saj do të rivlerësohen, atëherë, pasi deklarohen dhe tatohen sipas këtij ligji, ortakët mund t’i përdorin këto shuma për nevoja personale ose për t’i futur në biznes, si hua apo si rritje kapitali”, thekson kontabilisti Sotiraq Dhamo.

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës, Stefan Pinguli, parashikon se nga rivlerësimi i pasqyrave financiare përfitojnë rreth 35 mijë biznese.

“Nëse drafti zbatohet ashtu siç duhet, moralisht dhe me bazë të gjerë, do të veprojë mbi 35 mijë biznese, me mosdeklarime në vlera të ulëta, për shkak të marrëdhënies të vështirë ekonomike në këto 30 vjet. Një pjesë e tyre mund të kenë të padeklaruara edhe një sasi parash, të përfituara jo në rrugë kriminale, por nëpërmjet përfitimit antiligjor.

Të gjitha këto mund të përmirësohen me amnistinë dhe bizneset mund të bëhen pronarë të kapitaleve të tyre. Është pozitive që këto subjekte t’i certifikojnë paratë në banka. Nga zbatimi, bizneset e ndershme nuk atakohen. Faljet bëhen në çdo vend të botës. Shtetet e Amerikës Latine i zbatojnë çdo 5 vjet. Është masë pozitive dhe nuk duhet të ngatërrohet me politikën. Amnistia fiskale është avokat i parave, mbase edhe të papastra”.

Projektligji parashikon edhe amnistimin e pasurive të riatdhesuara, në mjete monetare apo edhe pasuri të tjera të luajtshme (makina, makineri, etj., etj..)

Ligji parashikon faljen e gjobave për të gjitha këto raste që deklarohen pasuritë e luajtshme apo të paluajtshme. Pra subjektet që bëjnë këtë deklarim dhe paguajnë një tarifë tatimi më të ulët (5-7 apo 10%, por edhe nuk paguajnë penalitet për mosdeklarim në kohë të këtyre pasurive).

 

Interesi i biznesit
Sipërmarrjet janë të interesuara, sepse përfitojnë, si biznese amnisti për pasuritë e biznesit (të paluajtshme apo të luajtshme) që nuk i kanë deklaruar në pasqyrat e tyre financiare, (si: shumat e të ardhurave, klientët, furnitorët, huatë, fitimin, pasuritë e paluajtshme apo të luajtshme, si aktive afatgjata, etj. Për të ardhurat dhe fitimet e padeklaruara (nga evazioni që kanë bërë më parë). Si pronarë të bizneseve, si individë, sepse mund të deklarojnë të ardhura të marra nga burime të ndryshme e të padeklaruara në kohë. Të formalizojnë edhe ato hua apo financimet që i kanë dhënë shoqërive (normalisht nga shitjet e padeklaruara) dhe të kenë mundësinë t’i përdorin si të duan

 

Burimi : Revista Monitor

Previous Post
Newer Post

Leave A Comment

Cart

No products in the cart.

X