Sektori i mikrofinancës i ka kërkuar zyrtarisht Bankës së Shqipërisë ngrirjen e normave maksimale efektive të interesit (NEI Maksimal) mbi kredinë konsumatore.
Kompanitë e këtij sektori argumentojnë se rritja e shpejtë e normave të interesit në tregjet financiare këtë vit po rrit koston e sigurimit të financimeve prej tyre.
Sipas përfaqësuesve të sektorit, një ulje e mëtejshme e normave maksimale efektive të interesit për vitin në vazhdim do t’i vendoste më shumë nën presion marzhet e tyre të fitimit.
Në këto kushte, ato kanë kërkuar mosndryshimin e NEI-t maksimal për një periudhë të caktuar, të paktën njëvjeçare, deri në stabilizimin e normave të interesit.
Një kërkesë tjetër e kompanive të mikrofinancës është ndarja e fashës së dytë të shumës mbi të cilin aplikohet NEI maksimal. Aktualisht, kjo fashë përfshin shumat nga 200 mijë deri në 2 milionë lekë.
Kompanitë e mikrofinancës mendojnë se duhet të ekzistojë një fashë e ndërmjetme në intervalin midis 200 mijë dhe 600 mijë, që është edhe kufiri i sipërm që rregullorja përcakton për klasifikikimin e institucioneve të mikrokredisë.
Sipas tyre, aplikimi i një fashe të dytë për NEI-n maksimal deri në vlerën e 2 milionë lekëve, e ekspozon mikrofinancën ndaj një konkurrence të pabarabartë me sektorin bankar, që ka kosto shumë të ulët të sigurimit të fondeve, falë mundësisë për të pranuar depozita nga publiku.
Prej fillimit të vitit 2022, Shqipëria iu bashkua vendeve që aplikojnë një normë maksimale efektive interesi.
Qëllimi ishte mbrojtja e konsumatorit nga normat potencialisht abuzive të interesit, të aplikuara kryesisht nga disa institucione financiare jobanka. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, normat efektive të interesit para hyrjes në fuqi të rregullores arrinin deri në 256% për kreditë në shuma të vogla dhe afate minimale maturimi.
Nivelet e NEI-t maksimal publikohen në fillim të çdo 6-mujori dhe bazohen në kreditë e disbursuara në 6-mujorin paraardhës. Sipas rregullores, ky tregues ndërtohet si mesatare e normës efektive të interesit për secilin produkt dhe interval, e shtuar me një të tretën.
Norma efektive maksimale e interesit përfshin normën nominale të interesit, komisionet e aplikuara nga huadhënësi dhe të gjitha kostot e kredisë që i transferohen klientit. NEI maksimal është i detyrueshëm për t’u respektuar nga të gjitha bankat dhe institucionet financiare të licencuara për aktivitet të huadhënies në Shqipëri.
Arsyeja pse institucionet mikrofinanciare kërkojnë ngrirjen e niveleve aktuale të NEI-t maksimal është sepse formula e përcaktimit të treguesit ka tendencën për të qenë regresive. Vendosja fillimisht e një NEI maksimal ndikon në uljen e NEI-t mesatar dhe ulja e NEI-t mesatar bën që NEI maksimal për periudhën pasardhëse të ketë tendencë në ulje.
Për gjysmën e dytë të vitit 2022, NEI maksimal për kreditë konsumatore në Lekë, për shumat deri në 200 mijë Lekë është ulur në 136.58%, nga 171.41% që kishte qenë për gjashtëmujorin e parë të vitit.
Gjithmonë për shumat deri në 200 mijë Lekë, NEI maksimal për overdraftet (paradhëniet) është 18.26%, nga 19.55% që kishte qenë për 6-mujorin e parë. Për kartat e kreditit, NEI maksimal do të jetë 26.21%, nga 27.21% që kishte qenë për 6-mujorin e parë të vitit. Ulje të ndjeshme NEI maksimal ka pësuar edhe për kreditë në intervalin mes 200 mijë dhe 2 milionë Lekë.
Tavani për këto kredi është ulur në 25.89%, nga 38.79% që kishte qenë në 6-mujorin e parë. Për ovedraftet në këtë interval, NEI maksimal është ulur në 16.47%, nga 16.75% që kishte qenë në 6-mujorin e parë.
Burimet nga sektori i mikrofinancës shprehen se ulja e NEI-t maksimal, sidomos për shumat mbi 200 mijë Lekë, ka një ndikim negativ për institucionet e mikrofinancës. Me një tavan prej 25.89%, për IFJB-të bëhet më e vështirë të konkurrojnë me bankat, duke qenë se këto institucione kanë kosto më të larta të sigurimit të fondeve.
Burimi : Revista Monitor