Që nga rritjet e forta të pagave për punonjësit vendas, investimet në teknologji që do të zëvendësojnë punën e njerëzve për industri të caktuara, e deri te hapja e linjave të reja prodhuese në zonat rurale, këto janë disa masa që vetë sipërmarrësit shqiptarë po marrin për zgjidhjen e mungesës së fuqisë punëtore.
Dorina Azo
Problematika me mungesën e fuqisë punëtore, që ka nisur në 3-4 vitet e fundit, është kthyer në shqetësim për ndërmarrjet shqiptare. Të gjithë sektorët e ekonomisë janë në vështirësi, si prodhuesit edhe ato të shërbimeve. Emigracioni masiv i të rinjve mbetet shkak i numrit të ulët të burimeve njerëzore.
Pjesa më e madhe e bizneseve po kuptojnë peshën e kapitalit human, për këtë arsye kërkojnë të përmirësohen në drejtim të pagave. Konkretisht, rritja e lartë e pagave mbi nivelin e 1 mijë eurove do të ndalte emigrimin e të rinjve.
Për këtë arsye, sipërmarrësit këshillojnë që qeveria të ndërhyjë me lehtësitë fiskale për pagat e punonjësve të kualifikuar, duke mos i tatuar deri në pragun e 100 mijë lekëve dhe për trajnimin e aftësive profesionale të punonjësve të rinj, të mos paguhet tatim mbi të ardhurat.
Kërkesa e bizneseve vjen në një kohë kur ata po vuajnë shtimin e kostove nga shtrenjtimi i energjisë, karburantit dhe gazit dhe rënien e fortë të konsumit.
Për shkak të mungesës së lartë të fuqisë punëtore, disa sektorë kanë qenë të detyruar të rrisin fondin e pagave, ku më e fortë ka qenë te baret dhe restorantet gjatë sezonit turistik.
Rritja e pagave, e ndikuar nga mungesa e fuqisë punëtore dhe jo për shkak të zgjerimit të aktivitetit, në një kohë kur konsumi është tkurrur nga rritja e çmimeve dhe largimi i popullsisë, pritet të sjellë shtrenjtim të lartë të çmimeve, por edhe mbyllje të bizneseve. Të parët që paralajmërojnë çmime “të kripura” janë baret dhe restorantet.
A do të jetë e ardhmja e punës robotika?
Për të rritur cilësinë e prodhimit, si dhe për të parandaluar efektet e krizës së mungesës së fuqisë punëtore, fabrika e prodhimit të tullave “K.I.D Alb” në Maminas së Durrësit ka investuar në linjën e re të prodhimit të tullave dekorative, duke blerë 6 robotë. Investimi për blerjen e një roboti ka shtuar 200 mijë euro.
Në tërësi, investimi i ri për ngritjen e linjës së re të prodhimit të tullave dekorative ka kushtuar 8 milionë euro. Prodhimet e para të linjës së re pritet të dalin në shitje pas pak ditësh. Ky është investimi i parë në Ballkan në prodhimin e tullave dekorative të një cilësie të lartë që shërbejnë jo vetëm për fasadat e jashtme të ndërtesave, por edhe mjediset e brendshme.
Asllan Baraj, administratori i kompanisë së prodhimit të tullave “K.I.D Alb” tha për “Monitor” se investimi në blerjen e robotëve i jep avantazh prodhimit, pasi garanton jo vetëm cilësi të lartë të produktit, por edhe redukton koston e fuqisë punëtore, pasi puna e robotëve zëvendëson punën e 10 apo 15 punëtorëve.
Përveç kësaj, procesi teknologjik që do të kryhet nga robotët garanton cilësi të lartë dhe eliminon koston e thyerjes së tullave. Robotët që do të përdoren në prodhimin e linjës së re në Shqipëri janë prodhuar në Japoni.
“Investimi mund të realizohet nga të gjitha bizneset, pasi është i leverdishëm ekonomikisht, por zgjidh edhe problemin e fuqisë punëtore. Në momentet kur Shqipëria ka mungesë të theksuar të fuqisë punëtore, do të jetë e detyrueshme të investohet në robotikë.
Arsye të tjera janë rritja e cilësisë dhe produktivitetit. Mund të përdoret në të gjitha industritë, pasi robotët teknologjikisht janë të modifikueshëm në të gjitha industritë prodhuese. Bizneset shqiptare dëshirojnë të përqafojnë gjithmonë risitë teknologjike”.
Baraj thekson se, edhe në fabrikën e tij, ndihet mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore, pasi shumë njerëz kanë emigruar. Ai nënvizon se ndër masat e para që kompanitë kanë marrë vetë është rritja e pagës së punonjësve. Që me fillimin e krizës së shtrenjtimit të çmimeve “K.I.D Alb” ka rritur pagat e punonjësve 30%, ndërsa pritet që së shpejti t’i rishikojë sërish pagat. Administratori i kompanisë rekomandon se në këtë situatë, edhe shteti duhet të ndërhyjë me masa lehtësuese fiskale.
“Në këtë situatë, shteti duhet të ndihmojë bizneset prodhuese që të minimizojnë rrezikun e mungesës së fuqisë punëtore. Bizneset që marrin punonjës të rinj duhet të nxiten nëpërmjet lehtësive fiskale, pasi riaftësimi i tyre profesional është kosto shtesë për sipërmarrjen. Për këtë kategori të punësuarish të rinj, pa përvojë profesionale, shteti duhet t’i lehtësojë prodhuesit, duke mos ju llogaritur tatimin mbi të ardhurat për një afat të caktuar.
Në anën tjetër, për të gjithë punonjësit duhet të rritet pragu i bazës së patatueshme të pagave. Nga 40,000 lekë që është aktualisht, duhet të rritet në 100,000 lekë. Kjo masë do të ndikonte jo vetëm në formalizimin e të punësuarve, por do të zgjidhte edhe problemin me mungesën e fuqisë punëtore.
Ndryshimet në taksimin e pagës do të zbusnin edhe efektet e inflacionit te produktet ushqimore të shportës”, pohon ai.
Në fabrikën e prodhimit të tullave pritet të punësohen edhe rreth 14 punonjës nga Turqia, që do të vijojnë punën për repartin e ri të tullave dekorative. Arsyeja pse kanë vendosur të punësojnë punëtorë turq, sipas drejtuesit, është që mjeshtëria e tyre në procesin e prodhimit të qeramikës, të jetë shembull edhe për punonjësit shqiptarë.
Baret dhe restorantet detyrohen të rrisin pagat, por priten çmime “të kripura”
Nëse ecën në rrugët e Tiranës në vitrinat e shumë bareve dhe restoranteve, sheh njoftime për të punësuar kamerier, banakier apo punonjës pastrimi.
Mungesa e fuqisë punëtore në sektorin e shërbimit të bareve dhe restoranteve, vijon të ndihet edhe pas përfundimit të sezonit turistik, që kërkoi numër më të lartë stafi për shkak të fluksit të turistëve.
Baret dhe restorantet vijojnë të marrin të punësuar nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, për të plotësuar boshllëkun e krijuar në mungesën e fuqisë punëtore.
Duke qenë se kriza e fuqisë punëtore ka përfshirë të gjithë Ballkanin, prurjet e punëtorëve nga rajoni mbeten shumë të ulëta në raport me kërkesën, për këtë arsye, këto biznese janë të detyruara të bëjnë rritje të lartë për pagat.
Rritja e fortë e pagave e ndikuar nga mungesa e fuqisë punëtore pritet të sjellë shumë shpejt shtrenjtim të çmimeve të kafesë apo ushqimit në restorante. Sipas të dhënave afatshkurtra të publikuar nga INSTAT, në baret dhe restorantet, indeksi i fondit të pagave për tremujorin e dytë 2021 shënoi rritje 32,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Sipas përfaqësuesit të Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj, arsyeja kryesore e mungesës së punëtorëve është emigrimi i tyre në Europë, pasi në shumë shtete të kontinentit ka mungesë të theksuar të fuqisë punëtore që nga pandemia dhe pagat më të larta që ofrohen nga këto shtete.
“Edhe pas mbylljes së sezonit, problematika e mungesës së fuqisë punëtore vijon të mbetet e mprehtë, pasi shumë anije marrin personel nga Shqipëria, i trajnojnë dhe i rekrutojnë në vendet e tyre me paga më të larta se këtu.
Gjithandej kërkohen kamerier, kuzhinier dhe ndihmëskuzhinier. Në vend, por edhe në Europë, që pas pandemisë ka mungesë së fuqisë punëtore dhe asaj të kualifikuar. Të rinjtë shqiptarë po emigrojnë jashtë.
Kriza nuk parashikohet të zgjidhet menjëherë. Fillimisht politika e marrjes së të punësuarve nga vendet e Azisë ka dështuar. Për shumë biznese që punësuan të huaj rezultoi se vendi i punës në Shqipëri u përdor si trampolinë për të emigruar drejt Europës sesa si një vend pune për të fituar të ardhura. Problematika është e ndjeshme për disa struktura akomoduese të mëdha në vend që kanë marrë 40 apo 50 punonjës, të cilët u janë larguar më pas.
Shumica e tyre vijnë me dy pasaporta dhe largohen pas dhjetë ditëve apo një muaji, pavarësisht se bizneset kanë investuar për ardhjen e punonjësve, që nga kontratat e punës dhe pagesat e taksave. Shteti shqiptar nuk ndërhyn në zgjidhjen e këtyre problematikave, të cilat u mbeten sërish sektorit privat t’i zgjidhë.
Momentalisht për të punuar në bare dhe restorante, ashtu siç ndodhi në periudhën e turizmit nga bizneset vijojnë të punësohen djem e vajza nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, por janë në nivele shumë të ulëta. Çështjes së punësimit po i jepet zgjidhje me të punësuarit aktualë. Pagat e personalit janë rritur dhe pritet të rriten sërish, për shkak të mungesës së lartë të fuqisë punëtore.
Por do të vijë shumë shpejt dita që kostot e shtuara nga fuqia punëtore dhe shtrenjtimi i lëndëve të para do të reflektohen te rritja e çmimeve. Bizneset nuk mund ta përballojnë vetë shtimin e kostove nga pagat e punonjësve.
Për këtë arsye, çmimet në Jug këtë vit ishin “të çmenduara”, pasi pagat e personelit u rritën 3 deri në 4-fish më shumë se pagat e punonjësve në Tiranë. Edhe kostoja e fjetjes dhe ushqimit ishte e lartë. Përveç rritjes së pagës ka rënë edhe kërkesa e llogarisë ndaj punëtorëve, pasi baret dhe restorantet janë të detyruar të mbajnë stafin”.
Në vitin 2021, baret dhe restorantet vijuan të kenë një vit negativ. Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT, në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5.2%. Në vend numërohen gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i parapëlqyer në vend, pas biznesit të pakicës.
Enri Jahaj më herët deklaroi se mbyllja e tyre është ndikuar nga pandemia. Shoqata paralajmëroi se numri i bizneseve të mbyllura do të rritet edhe këtë vit, për shkak të rënies së konsumit nga kriza e përgjithshme e rritjes së çmimeve dhe mungesës së fuqisë punëtore.
Edhe prodhuesit e pijeve freskuese, në vështirësi me punësimet
Vështirësinë e mungesës së fuqisë punëtore po e ndiejnë edhe prodhuesit e pijeve freskuese dhe atyre alkoolike.
Bizneset prodhuese të pijeve freskuese janë në udhëkryq në dhënien e zgjidhjes së problemit të fuqisë punëtore. Rritja e pagave dhe marrja e punonjësve të huaj nuk po e ndalin hemorragjinë e largimit të të rinjve nga Shqipëria, sipas z. Kosta Bezhani, administrator i kompanisë prodhuese të pijeve freskuese “Fresh” në Dropull të Gjirokastrës.
“Emigracioni është kthyer në sëmundje për të rinjtë. Kudo në zonë dëgjon të rinj që përgatisin dokumentet për t’u larguar. Arsyeja kryesore e largimit nuk është rritja e pagës së fuqisë punëtore, dhe se jashtë vendit këta të rinj do të punojnë me paga më të larta, por shumë prej tyre largohen, sepse nuk gjejnë veten në Shqipëri, nuk gjejnë mjedisin e përshtatshëm për t’u zhvilluar profesionalisht dhe për të jetuar”.
Problemi tjetër që po krijon ikja e të rinjve në migracion, pas asaj të fuqisë punëtore, është rënia e fortë e konsumit. “Shumë biznese në vend janë detyruar të rrisin pagat, pasi mungon fuqia punëtore.
Kompania jonë ka rishikuar pagat e punonjësve tre herë që pas pandemisë. Por tashmë problemi kryesor për sipërmarrjen mbetet rënia e konsumit. Ja pagat u rritën, po për kë do të prodhojmë?
Të rinjtë që zënë pjesën më të madhe të konsumit po largohen. Shumë punëtorë në fabrikë dalin së shpejti në pension dhe nuk gjejmë punonjës të rinj t’i zëvendësojmë. Janë provuar të merren punonjës të huaj, edhe pse kostot janë të shtrenjta, pasi u paguhen paga të larta, fjetja dhe ushqimi, por sërish masa ka rezultuar negative. Punonjësit e huaj e përdorin Shqipërinë si trampolinë për t’u larguar në Europë. Problematikat që po lindin nga emigracioni janë të shumta. Nevojitet të marrin menjëherë zgjidhje”.
Sipas drejtuesit të kompanisë së pijeve freskuese, situata e mungesës së fuqisë punëtore është emergjente dhe për këtë arsye, masat e qeverisë duhet të jenë të menjëhershme. “Institucionet shtetërore duhen të ulen në tryeza bisedimesh me biznesin për t’u konsultuar për masat e duhura që nevojiten të zbatohen në këtë periudhë krize.
Nëse mungon vullneti për t’u konsultuar, le të implementojnë programet që kanë zbatuar fqinjët tanë, që nga masat nxitëse financiare për bizneset e reja dhe kualifikimin e punonjësve”.
Call center, në vështirësi për punonjës
Nga viti 2010, sektori call center mori hov të madh zhvillimi në Shqipëri, duke u kthyer në oaz për punësimin e të rinjve, pasi shumë kompani italiane transferuan ndërmarrjet e tyre në vend, për shkak të kostos më të lirë të punës dhe numrit të lartë të atyre që njihnin gjuhën italiane.
Ndër vite, rënia e numrit të të rinjve që njihnin gjuhën italiane (nëse gjenerata e viteve ‘80-‘90 mësuan në mënyrë autodidakte gjuhën italiane, kjo nuk po ndodh më të rinjtë e sotëm) dhe emigracioni ndikuan në tkurrjen e të punësuarve në këtë sektor.
Kompanitë pohojnë se nuk janë në vështirësi me kontratat për ofrimin e shërbimit ndaj të tretëve, por me rekrutimet, pasi të rinjtë po largohen në emigracion.
Sipas të dhënave të DPT, në periudhën janar – shtator 2022, në kompanitë call center janë të punësuar 12,404 punonjës. Krahasuar me vitin 2021, numri i të punësuarve ka rënë 18%. Në këtë sektor, në vitin 2022, është tkurrur edhe numri i ndërmarrjeve me 8% në raport me vitin 2021.
Lorenc Goga nga kompania “Facile.it” pohon se në vitin 2022, çështja e gjetjes së burimeve njerëzore është kthyer në shqetësim real për industrinë. Goga nënvizon se faktori kryesor i mungesës së fuqisë punëtore është emigracioni i të rinjve.
Ndryshe nga sa po ndodh me sektorë të tjerë të ekonomisë që për shkak të rënies së fuqisë punëtore po rekrutojnë nga vendet aziatike dhe ato të rajonit, për sektorin call center, zëvendësimi i fuqisë punëtorë, me të huaj mund të shihet si zgjidhje, por me kontribut të vogël në përmirësimin e situatës, pasi ndërmarrjet punojnë masivisht me italishtfolës.
“Ne jemi ende të lidhur, së pari me tregun italian, dhe vetëm ndoshta 20% e sektorit ka filluar të operojë në gjuhë të tjera. Të huajt që mund të vijnë tek ne nuk janë italishtfolës, por anglishtfolës e në rastin më të mirë frëngjishtfolës.
Më konkretisht, së fundmi jam përpjekur të punësoj shtetas nga Kameruni në gjuhën frënge, por mënyra si kanë hyrë në Shqipëri, ose viza që posedojnë, nuk mundëson pajisjen me leje pune. Nuk ka asnjë lloj lehtësie nga institucionet tona për të formalizuar dhe për të normalizuar raportin me këta shtetas”, thekson Ervin Gogo, administrator i kompanisë “Albacontact”.
Lorenc Goga propozon se shteti duhet të ndërhyjë në politikat fiskale të favorshme për punësimin në këtë sektor, që konsiderohet si amortizator social. “Shteti duhet t’u japë mundësinë e trajnimit atyre që nuk janë 100% të përgatitur për këtë profesion.
Për këtë është e nevojshme baza ligjore që do të shërbejë si garanci për sipërmarrësit, me qëllim që për këta punonjës që do të investohet në kualifikim të mos largohen”.
BURIMI : REVISTA MONITOR