Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar u rrit ndjeshëm në tremujorin e dytë të vitit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, ky raport u rrit në nivelin 19%, nga 17.9% që kishte qenë në tremujorin e parë dhe në të nëjtën periudhë të një viti më parë. Kapitalizimi i bankave është shumë afër nivelit më të lartë historik, që është regjistruar në fund të tremujorit I 2020.
Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut. Vlera e kapitalit rregullator të sistemit u rrit më tej dhe arriti në rreth 181.6 miliardë lekë, në rritje vjetore me 14.6%.
Ndërkohë, vlera e aktiveve të peshuara me koeficientë rreziku arriti vlerën e 956 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 8.2%. Kjo tregon se rritja e raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit ka ardhur nga një rritje më e lartë e vlerës së kapitalit krahasuar me rritjen e aseteve me rrezik të bankave.
Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar në pjesën dërrmuese është kapital i nivelit të parë, që përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, kryesisht kapitalin e paguar aksioner, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara.
Rritja e kapitalit të sektorit është mbështetur sërish nga zgjerimi i fitimeve, megjithëse në gjysmën e parë të këtij viti ato pësuan rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, të paktën sipas standardeve raportuese të Bankës së Shqipërisë (që janë dhe baza në llogaritjen e treguesve rregullatorë). Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se fitimi neto i sektorit bankar zbriti në vlerën e 6.5 miliardë Lekëve, me një rënie prej 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Përveçse nga rezultatet financiare pozitive, disa banka po përdorin paralelisht edhe instrumentet e borxhit të varur (obligacionet korporative), me qëllim për të rritur kapitalin e tyre rregullator.
Sektori bankar në Shqipëri historikisht ka pasur nivele të larta kapitalizimi, për shkak të linjës rregullatore konservatore të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Pragu minimal i kërkuar është 12%, ndërsa për banka të veçanta kërkesa gjatë dekadës së fundit ka qenë edhe më e lartë. Me hyrjen në fuqi të shtesave makroprudenciale të kapitalit, nivelet minimale të kërkuara të kapitalizimit janë rritur edhe më shumë.
Nga fillimi i këtij viti, bankat kanë përmbushur edhe shtesën konservuese prej 1.5% në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit. Kjo e ka çuar kapitalizimin minimal në nivel sistemi në 13.5%. Për pesë bankat më të mëdha, që janë klasifikuar si banka me rëndësi sistemike, ky raport duhet të jetë edhe më i lartë, nga 0.5% deri në 1.5%.
Kërkesat shtesë po reflektohen në nivele gjithnjë e më të larta të kapitalizimit të sektorit në vlera mesatare. Megjithatë, bankierët mendojnë se nivele kaq të larta të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit janë të tepruara dhe përbëjnë një kosto të konsiderueshme për bankat, kosto që në fund duhet të paguhen nga publiku në çmimin e produkteve dhe shërbimeve bankare.
Burimi i Lajmit : Revista Monitor