Punëdhënësit që nuk kanë derdhur kontributin, në nivelin e pagës minimale, për çdo person me aftësi të kufizuar që nuk kanë punësuar, tashmë pagesat do të duhet t’i pasqyrojnë online me listëpagesën e sigurimeve. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hedhur në konsultimet publike projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.15/2019 “për nxitjen e punësimit””.
Ligji “Për nxitjen e punësimit” përcakton se çdo punëdhënës për 25 punonjësit e parë të ndërmarrjes duhet të punësojë 1 person me aftësi të kufizuar i vlerësuar pjesërisht i aftë për punë nga komisionet përkatëse, si dhe një person shtesë për 50 punonjës. Nëse kompanitë nuk përmbushin detyrimin e mësipërm duhet të paguajnë kontributet në shkallën e pagës minimale për çdo person me aftësi të kufizuar që nuk kanë punësuar.
Në relacionin e projektligjit të propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë theksohet se dispozitat në lidhje me personat me aftësi të kufizuar për detyrimet e sipërpërmendura kanë qenë totalisht të pa zbatuara.
Për këtë arsye, është propozuar me këtë nismë që të gjitha të ardhurat e mbledhura nga derdhjet e punëdhënësve pranë agjentit tatimor të vihen në dispozicion në vitin pasardhës në një llogari të veçantë të buxhetit të Institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, të cilat kjo e fundit do t’i përdorë për zbatimin e programeve të nxitjes së punësimit për personat me aftësi të kufizuar në bashkëpunim me punëdhënësit.
“Në nenin 20 “Punësimi i personave nga grupet e veçanta”, që sipas nenit 3, pika 4, shkronja “c”, të këtij ligji, janë personat me aftësi të kufizuara, përfshirë personat që nuk dëgjojnë dhe invalidët e punës, të vlerësuar pjesërisht të aftë për punë nga komisionet përkatëse, është parashikuar se, çdo punëdhënës duhet të punësojë: një person që i përket grupeve të përcaktuara në nenin 3, pika 4, shkronja “c”, të këtij ligji, për 25 punonjësit e parë të ndërmarrjes dhe nga një person shtesë, sipas grupeve të përcaktuara në nenin 3, pika 4, shkronja “c”, të këtij ligji, për çdo 50 punonjës të tjerë të ndërmarrjes, mbi parashikimet e bëra në shkronja “a” të kësaj pike.
Punëdhënësi, i cili nuk punëson numrin e përcaktuar të personave, sipas pikës 1, të këtij neni, derdh një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit, në masën e 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo muaj, për çdo person që i përket grupeve të përcaktuara në nenin 3, pika 4, shkronja “c”, të këtij ligji, që ai duhet të kishte punësuar, sipas këtij neni.
Në ligjin ekzistues procedura dhe mënyra e derdhjes së kontributit, përcaktohet me udhëzim të Ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit dhe zhvillimit të aftësive.
Ky formulim e bën të pamundur zbatimin e ligjit pasi nuk është përcaktuar institucioni që do të mbledhë këtë kontribut. Gjatë diskutimeve, në grupin e punës i cili u ngrit për të zgjidhur këtë çështje, (i përbërë nga përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Inspektoriatit Shtetëror të Punës, Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit në MFE dhe Drejtorisë e Politikave të Punësimit dhe Aftësimit Profesional), u vlerësua mundësia e mbledhjes së këtyre kontributeve nga organet tatimore, si agjentë të mbledhjes së detyrimeve, por u vërejt, se ligji në asnjë nen të tij nuk vë detyra të tilla për organet tatimore.
Për këtë arsye janë rishikuar riformulimet me qëllim saktësimin e këtij ndryshimi si më poshtë: Në pikën 2 të nenin 20 fjalia e dytë ndryshohet si vijon: “Kontributi derdhet nga punëdhënësi dhe pasqyrohet në listëpagesën mujore të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të deklaruar në sistemin online të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, institucion i cili luan rolin e agjentit tatimor për mbledhjen e kontributit.”
Shtohet fjalia e tretë dhe riformulohet si më poshtë vijon: “Procedurat dhe mënyra e derdhjes së kontributit përcaktohen me udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për financat.” dhe konkretisht bëhet fjalë për udhëzimin nr. 23 datë 19.12.2014 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, citohet në relacionin e draftit.
Fondi Social i Punësimit përdoret për financimin e programeve që synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitim për punë, aftësimin dhe riaftësimin profesional apo për subvencionimin për rikonstruksionin dhe përshtatjen e ambienteve të punësimit apo të institucioneve për çdo person me aftësi të kufizuar.